Lika: Duro ende trajneri i Kukësit. Telushi fajëson të “huajt”

Lika: Duro ende trajneri i Kukësit. Telushi fajëson të “huajt”

Tanimë është zyrtare. Mungesa e Duros në pankinën e Kukësit nuk ka të bëjë me një problem të tijin familjar, por më së shumti me një debat të bërë mëngjesin e së enjtes me drejtorin e klubit Ekrem Spahia. Debate duhet të ketë qënë i rëndë teksa trajneri vendosi të mos udhëtojë dhe drejtojë skuadrën. Drejtori sportiv Hasan Lika pas ndeshjes me Flamurtarin konfirmoi debatin sikundër deklaroi me bindje të plotë se Duro do jetë trajneri i Kukësit dhe se do rikthehet ndoshta që nesër në stërvitje.

Lika: Besoj se skuadra dha maksimumin në fushë arritëm një rezultat të vështrië dhe shumë të rëndësishëm, sigurisht me një lojë që nuk ishte në nivelin e lojërave të vazhdueshme të skuadrës tonë, por ndonjëherë janë më të rëndësishme 3 pikët… Kjo është vazhdimësia e punës së Duros, ne shpresojmë që nesër Duro të jetë me ekipin. Çfarë po ndodh me trajnerin? Ka qenë një keqkuptim që ka ndodhur mes drejtuesve të skuadres dhe mendoj se problemi është sqaruar dhe do të shkojë drejt zgjidhjes. I kemi kërkuar skuadrës të fitojë edhe për trajnerin, e mendoj se skuadra diçka të tillë e realizoi. A mbetet Duro zyrtarisht trajneri i Kukësit? Duro është akoma zyrtarisht trajneri i Kukësit në dijeninë time. Sigurisht që duhej të ishte në stol, por dikush e ndien këtë keqkuptim më shumë dhe ka nevojë të mendoje më shumë, kështu që unë mendoj që natyrshëm tani duhet të shkojmë edhe përtej këtij problemi. besoj se zgjidhja do të jetë në ditët në vazhdim…

Humbja 0-1 kundër Kuksit rrjedhimisht solli shumë nervozizëm në kampin kuqezi. Vlonajtët janë me pikë të barabarta në vendin e nëntë me Bylisin kanë një ndeshje më shumë se ballshiotët dhe madje ndeshjen direkte me ta do ta luajnë në transfertë. Trajneri Ramadani refuzoi të pronocohej publikisht pas ndeshjes ndërkohë që lojtarët u përfshinë në një zënkë masive në fund të 90 minutave. Ai që vendosi publikisht të shtonte polemikat ishte Burno Telushi.

Bruno Telushi: Më dhimbset shumë skuadra. Problemet financiare në këto momente në skuadër nuk ekzistojnë, por mendoj se vetë lojtarët duhet të kërkojnë të japin më shumë, mbi të gjitha në këto momente. Në pjesën më të madhe të ekipit… më vjen keq që e them, por disa nga të huajt nuk e kanë idenë të situatës ku është Flamurtari. Më vjen keq për humbjen me Kukësin, pavarësisht se luajtëm mirë. Afrimet e të huajve? Personalisht nuk më ka pyetur njeri, pasi futbollistët i zgjedh stafi. Unë jam gjithmonë në kontakt me trajnerin, flasim për këtë çështje. Por, të them të drejtën nuk e prisnim këtë moment, pasi kishim besim se do të fitonim me Kukësin dhe se do të merrnim tre pikë edhe me Tërbunin. Ato raste që humbi Flamurtari më duken qesharake dhe gjithçka i’a faturoj sulmuesit tonë kryesor.

Vetëm 4 javë përpara fundit klubi kuqezi është duke kaluar një moment të errët nga ana sportive. Në këto dy vitet e fundit në mënyrë të habitshme rezultatet kanë munguar në mënyrë sistematike ndërkohë që janë shpenzuar 1.7 milionë euro për kontratat e lojtarëve, 300 mijë euro për shlyerjen e borxheve të prapambetura dhe 800 mijë euro në infrastrkturë. Të biesh në këtë mënyrë do ishte një tragjedi. /supersport.al

Komentet