Marquez triumfon në Teksas

Marquez triumfon në Teksas

Marc Marquez konfirmohet si zot i pistës së Austin në Botërorin e MotoGP. Piloti spanjoll i Hondës fitoi sërish në Teksas, duke shënuar suksesin e dytë radhazi për këtë sezon të ri dhe të katërtin në cirkuitin amerikan në karrierë.

Dy herë kampioni i botës në MotoGP e mori kryesimin e kësaj gare që nga fillimi, për ta ruajtur me shumë lehtësi deri në fund. Nuk mundi dot të bënte më shumë Jorge Lorenzo, i cili në fund u detyrua të kënaqej me vendin e dytë, ndërkohë që në të tretin u pozicionua piloti italian i Ducatit, Andrea Iannone.

Pas italianit, sërish 2 pilotë spanjollë: Maverik Vinales dhe Alex Espargaro të Suzukit, të pozicionuar respektivisht në vendin e katërt dhe të pestë.

Gjërat shkuan si mos më keq për Rossin, Dovizioson dhe Pedrosën, të cilët nuk e përfunduan garën. Valentino Rossi u rrëzua në xhiron e tretë të garës, ndërsa pak çaste më vonë Pedrosa shkaktoi rrëzimin e Doviziosos, duke e nxjerrë atë jashtë gare.

Edhe vetë piloti spanjoll i Hondës u detyrua që të dorëzohej në fund, duke i thënë lamtumirën Çmimit të Madh të Austin.

Pas 3 garave të para, botërori i MotoGP kryesohet nga Marquez me 66 pikë. Në vendin e dytë ngjitet Lorenzo me 45 pikë, ndërsa Rossi zbret në të tretin me 33 pikë të grumbulluara.

Komentet