Ferrari duket se ka harruar të jetë fitues; edhe në ditën kur fati dukej në anën e kokëkuqes, asnjëri prej pilotëve të saj nuk arriti të merrte pole position. Nico Rosberg, në një ditë jo shumë me fat për Mercedes arriti t’u rrëmbente i vetëm ‘pole position’ në Kinë. Hamilton, për herë të parë nga viti 2014 do të niset nga vendi i fundit.
Ka qenë një ditë kualifikuese me shumë surpriza në Çmimin e Madh të Kinës. Vetëm pas pak minutash nga sesioni i parë një aksident i Wehrelin, i cili rrëshqiti në pistën e lagur, bëri që provat të ndërpriten për 15 minuta. Me rikthimin në pistë Ferrari u shfaq më mirë me Vettel që vendosi edhe kohën më të mirë 1.37.001. Surpriza në këtë sesion ishte Hamilton që nuk arriti të vendoste asnjë xhiro të shpejtë për shkak të një problem teknik.
Në sesionin e dytë Ferrari dominoi me kohët e saj, por këtë herë ai që u shfaq më mirë ishte Raikkonën që la pas si Vettel, por edhe Rosberg, që në këtë sesion u rendit i gjashti. Edhe në këtë sesion në pistë u shfaq një flamur i kuq, pasi në makinën e Hulkenberg ishte montuar keq goma e pare majtas, e cila u shkëput gjatë xhiros së pilotit të Force India. Për shkak të flamurit të kuq në minutën e fundit, shumë pilotë, mes të cilëve edhe 2 pilotët e McLaren nuk mundën të arrijnë kualifikimin për në sesionin final.
Minutat e fundit të provave, ishin të mbushura me ankth, ku dueli u shfaq fillimisht me Raikkonen dhe Rosberg, fituar nga finlandezi i Ferrarit, ndërsa u prit me shumë interes edhe shfaqja e Vettel, i cili vendosi të bënte vetëm një xhiro. Por atëherë kur pritej që Ferrari të siguronte 2 vendet e para në nisje, Rosberg realizoi xhiron perfekte, 1’35.402, duke siguruar pole position. Pas tij kohën më të mirë e vendosi Ricciardo me Red, Bull, ndërsa 2 makinat Ferrari u mjaftuan me vendet 3 dhe 4, përkatësisht Raikkonen dhe Vettel.
Gara për Çmimin e Madh të Kinës do të zhvillohet të dielën në orën 8:00 dhe do të transmetohet direkt në Top Channel.
Komentet