Derbi është një histori krejt tjetër. Në sfida të tilla, e kaluara vlen pak. Por, ka mjaft dyshime se ky nuk është rasti i Tiranës dhe momentit që skuadra po kalon. Vetëm pak ditë përpara duelit me rivalët e Partizanit, bardheblutë janë në krizë totale. Duke nisur nga ecuria e fundit, ku fitorja mungon prej tre javësh, madje me të besuarit e Dajës që nuk kanë arritur të shënojnë qoftë edhe një gol.
Mungesat e rëndësishme janë një tjetër problem për Tiranën. Përveç mbrojtësit Karan që mbylli sezonin, në shërbim të skuadrës në derbi nuk do të jenë as emra të rëndësishëm si Gjergji Muzaka, Argjend Malaj e Dorian Kërçiku, ndërsa në dyshim mbetet edhe mbrojtësi i djathtë, Dritan Smajli. Nuk mund të anashkalohet marrëdhënia në krizë me tifozët. Edhe pse janë kthyer në stadium, grupimi Tirona Fanatics vazhdon të jetë kundër lojtarëve, që sipas tyre “po e ulin pa turp” fanellën bardheblu. Edhe pse kanë shërbyer si vlera e shtuar e Tiranës, edhe mbështetja dhe spektakli që dhurojnë tifozët në tribuna i kanë shërbyer pak ekipit.
Këtë e tregon historia më e fundit, ku Tirana nuk fiton në derbin me Partizanin prej 8 përballjesh, ku ka regjistruar 4 humbje dhe 4 barazime. Suksesi i fundit është ai i 7 Shkurtit 2014. Te bardheblutë ëndërrojnë të gjithë të kthehen te fitorja dhe pse jo të ndikojnë drejtë për drejtë në ambiciet e rivalëve për titullin kampion. Por, sa mund t’ia dalë Tirana që nuk shënon, e gjymtuar nga mungesat dhe pa tifozë. Këtë do ta tregojë fusha në mesjavë.
Komentet