Supersfida e javës së 35-të, ajo mes Skënderbeut dhe Partizanit, që do të përcaktojë edhe fatet e titullit kampion do të zhvillohet të premten në Korçë në ora 19:00.
Federata Shqiptare e Futbollit tashmë ka përcaktuar kalendarin e raundit të parafundit dhe të gjitha ndeshjet do të luhen në dy ditë, të premten dhe të shtunën.
Në të vërtetë, përveç sfidës në Korçë, të katër ndeshjet e tjera do të luhen të shtunën duke filluar prej orës 17:30.
Padyshim, e gjithë vëmendja është në ndeshjen mes Skënderbeut dhe Partizanit, ku korçarët mund të sigurojnë titullin e 6 radhazi edhe me jnë barazim, ndërsa “të kuqtë” duhet me patjetër të fitojnë për të mbajtur gjallë shpresat për ndonjë triumf.
Mirëpo, po aq interesante do të jetë edhe sfida në në Ballsh, ku Bylis do të sfidojë Flamurtarin në një finale të vërtetë mbijetese ku mallakastriotëve për të parakaluar vlonjatët në renditje u nevojitet një fitore me dy gola diferencë.
Të shtunën do të luhet edhe klasikja e futbollit shqiptar mes Tiranës dhe Vllaznisë takim që do të zhvillohet në “Selman Stërmasi”.
Në ruandin e 35-të do të vijojë gjithashtu dueli në distancë mes Kukësit dhe Teutës për vendin e tretë, pasi verilindorët do të sfidojnë Tërbunin në transfertë ndërsa durrsakët do të presin në shtëpi Laçin.
Komentet