Cana rrëfen aventurën kuqezi për FIFA-n

Cana rrëfen aventurën kuqezi për FIFA-n

Lorik Cana ka dhënë një intervistë për faqen zyrtare të FIFA-s. Kapiteni i Shqipërisë cilësohet si një luftëtar dhe djersët e tij janë parë me ngjyrat e disa skuadrave: PSG, Olimpique Marseille, Sunderland, Galatasaray, Lazio dhe, ekipi aktual, Nantes. Me 89 ndeshje të Shqipërisë, 33-vjeçari mban rekordin e aktivizimit në kombëtare dhe do udhëtojë së bashku me të edhe në UEFA EURO 2016. Ky ka qenë suksesi më i madh i futbollit shqiptar.

Në 11 qershor Shqipëria do luajë kundër Zvicrës, pikërisht 13 vite më parë Lorik Cana e zhvilloi ndeshjen e tij të parë me Shqipërinë kundër kombëtares së njëjtë. Atëherë ndeshja u zhvillua në Gjenevë, vetëm 60 kilometra larg vendit ku ishte rritur. “Një rastësi e bukur,” – thotë Cana.- “Babai im ishte futbollist profesionist. Ai më ka mësuar gjithçka dhe ishte një tip fitimtari. Ai mi dhuroi vlerat, duke më mësuar që të mos dorëzohem asnjëherë. Dëshiroja çdoherë të përfaqësoja denjësisht Shqipërinë dhe shqiptarët. Kur isha 19 vjeçar më erdhi ftesa e shumëpritur. Tema e Kombëtares është shumë e rëndësishme për shqiptarët brenda dhe jashtë kufijve gjithashtu. Shumë lojtarë kanë lindur dhe rritur jashtë, ndërsa Federata Shqiptare e Futbollit na ka dhënë mundësi që të gjithë shqiptarët të mund të arrijmë diçka të bukur bashkë. Ky është themeli e punës sonë të përbashkët dhe suksesit të Euro 2016”, – shprehet kapiteni, i cili më tej flet për të ardhmen.

“Ne jemi fiksuar me datën 11 qershor. Ndeshja e parë do jetë shumë e rëndësishme për ne. E ardhmja ime shkon deri këtu dhe jo më tej. Nuk kisha ëndërr më të madhe sesa kualifikimin e Shqipërisë në kompeticionet ndërkombëtare. Çfarë do ndodh pas Euro 2016 nuk mund ta them, sepse ka shumë lojtarë të rinj të cilët zhvillohen edhe më tej. Secili duhet të dijë kohën kur i vjen koha për të hapur rrugë. Pas Euro 2016 do bisedoj me familjen dhe federatën për të marrë një vendim. Do marr një vendim që është më i miri për mua dhe kombëtaren. Në çdo rast unë do mbështes kombëtaren edhe më tej – nëse jo nga fusha, nga jashtë saj”,- theksoi ndër të tjerash kapiteni i Kombëtares, Lorik Cana.

Komentet