Laci-Vllaznia, në lojë është mbijetesa

Laci-Vllaznia, në lojë është mbijetesa

2 muaj e gjysmë pa fitore në Superiore janë me të vërtetë shumë për një skuadër si Laci, që në këto vitet e fundit ka vendosur fatet e kampionatit. Gjithsesi këtë të Shtunë kurbinasit kanë mundësinë ideale për të hedhur pas krahëve këtë ecuri të gjatë negative, pasi do të presin në shtëpi Vllazninë, në një ndeshje që konsiderohet si një finale mbijetese për të dyja këto skuadra.

Të besuarit e trajnerit Ndreu që si objektiv kryesor në këtë sezon kanë triumfin në Kupën e Shqipërisë, papritur e shohin veten në zonën e rrezikut, pasi kur kanë mbetur edhe 5 javë deri në fund të sezonit numërojnë vetëm 3 pikë më shumë se Bylis. Në këtë kontekst suksesi ndaj Vllaznisë është i domosdoshëm për Lacin që në këtë duel do të ketë në dispzicion të gjithë grupin e futbollistëve. Statistikat i japin të drejtë bardhezinjëve pasi në 5 ndeshjet e fundit me Vllazninë në kampionat, Laci numëron 4 fitore dhe vetëm 1 barazim.

Por optimizëm për marrjen e një rezultati pozitiv në këtë sfidë nuk ka vetëm në kampin kurbinas por edhe në atë shkodran. Ashtu si Laci edhe Vllaznia do ta ketë grupin e plotë, pasi përvec Polizoi Arbrit që e ka mbyllur sezonin parakohe nuk do të ketë mungesa të tjera.

Në këtë mënyrë trajneri Armando Cungu mund të hedhë në fushë formacionin më të mirë të mundshëm pasi nuk ka asnjë lojtar me kartona dhe për më tepër rikthehen nga pezullimi 1-javor mbrojtësi i djathtë Denis Pjeshka dhe mesfushori Florind Bardulla. Fitorja ndaj Flamurtarit ka rikthyer besimin te kuqeblutë që në Lac do të synojnë të marrin të paktën një barazim për të mbajtur pas në renditje një kundërshtar direkt dhe mbi të gjitha për të siguruar sa më shpejtë qëndrimin në elitën e futbollit shqiptar edhe për sezonin e ardhshëm. Laci-Vllaznia këtë herë nuk është ndeshje si gjithë të tjerat por është një finale mbijetese. /supersport.al

Komentet