Kreu i qeverisë Edi Rama e ka vlerësuar mbresëlënës paraqitjen e projektit të “Arenës Kombëtare” në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të Terrirorit.
Edhe pse ishte parashikuar të ishte një dëgjesë publike, përfaqësues të shoqërisë civile dhe emra të njohur të gazetarisë nuk u lejuan të bëhen pjesë e këtij takimi, mbajtur në një nga sallat e konferencave në Hotel Tirana.
Përmes një statusi në rrjetin social Facebook, Rama shkruan se: Edhe Shoqata e Arkitektëve pranoi se ishte ngutur nga mosnjohja e plotë e projektit”, duke e përmbyllur statusin me një buzëqeshje (emotion).
Pra, sipas kryeministrit, kjo dëgjesë ka shërbyer që Shoqata e Arkitektëve të ndryshojë qëndrim dhe të zbeh kritikat ndaj këtij projekti, të kundërshtuar jo vetëm nga opozita politike por edhe aktivistë të shoqërisë civile, për shkak të kullës që pritet të ndërtohet si pjesë e këtij stadiumi. “Arena Kombëtare” do të ngrihet mbi themelet e stadiumit aktual “Qemal Stafa”.
Por ndërsa Shoqata e Arkitektëve është bindur për projektin, mbetet ende e paqartë përse rojet private dhe Garda nuk lejuan në takim edhe gazetarët dhe shoqërinë civile, kundërshtarët më të fortë të këtij projekti, që nga ky takim, mund të kishin ngritur zërin e tyre, e pse jo edhe të binin dakord me “Arenën Kombëtare” sipas projektit aktual.
Në statusin e tij në rrjetet sociale, kryeministri nuk përmend asnjë fjalë për incidentin me gazetarët dhe aktivistët, ku mes tyre ishte Fatos Lubonja, Andi Bushati, Ylli Rakipi dhe Gjergj Bojaxhi.
Komentet