Kaos te Flamurtari, ekipi i përçarë

Kaos te Flamurtari, ekipi i përçarë

Humbja me Kukësin, e dyta radhazi në kampionat dhe e pesta në 14 ndeshje prej fillimit të vitit 2016 e la Flamurtarin buzë greminës. E për të dalë nga momenti i vështirë nuk shërben as situata e krijuar brenda ekipit. Shkëndija e shpresës e krijuar më 31 Janar me debutimin me fitoren 1-0 të trajnerit Ramadani përballë Teutës, i ka lënë vendin shkëndijave brenda grupit. Vetëm një javë pasi drejtuesi i stolit akuzoi një pjesë të lojtarëve se shëtisin sa për të luajtur 90 minuta dhe më pas nuk janë të përqendruar te situata e vështirë e klubit, edhe ekipi është përçarë.

Debatet e ashpra dhe zënkat që shoqëruan disfatën me Kukësin kanë bërë që Flamurtari të jetë në kaos total. Për të nxitur edhe më tepër polemikat shërbeu deklarata e kapitenit Bruno Telushi, që akuzoi disa nga lojtarët e huajt se “nuk e kanë idenë për situatën ku është Flamurtari”, ku në qendër të kritikave ishte sulmuesi Danilo Alves për rastet e shumta të shpërdoruara në sfidën e fundit.

Mungesa e angazhimit e shfaqur nga lojtarët ka ndikuar te trajneri Ramadani. Ndryshe nga më parë, kur përveç kritikave për ekipin, injektonte edhe doza optimizmi në luftën për mbijetesë, tashmë tekniku zgjedh të mos prononcohet. Një heshtje që flet shumë. Flamurtari po përjeton një prej edicioneve më të errët në histori. Rreziku i rënies nga kategoria është më real se asnjëherë.

Komentet