Kukësi cinik, fiton dhe “fundos” Flamurtarin

Kukësi cinik, fiton dhe “fundos” Flamurtarin

Kukësi ia ka marrë dorën Flamurtarit, duke fituar 1-0 në Vlorë. Suksesi i tretë në fushën e kuqezinjve u realizua pavarësisht se në stol qëndroi Hasan Lika, duke zëvendësuar trajnerin Klodian Duro pas debateve të brendshme, e që zyrtarisht sipas klubit kishte probleme familjare. Një fitore e vuajtur, me skuadrën të përgjysmuar nga mungesat, ku më të rëndësishmet ishin ato të Shametit, Hasanit apo Floro Flores. Pas sinjalit të parë të rrezikshëm nga Danilo Alves, ishte braziliani tjetër, Joao Da Silva ai që rrezikoi, me gjyqtarin Meta që hezitoi duke kërkuar edhe ndihmën e asistentit, por në fund vendimi për ndërhyrje të parregullt jashtë zone ishte i drejtë.

Superioriteti i vlonjatëve ishte i dukshëm, por lojtari kryesor në sulm, Danilo Alves, bëri të pamendueshmen, duke shpërdoruar dy gola të sigurt, në harkun e pak sekondave. Fillimisht braziliani u hipnotizua nga Koliçi, ndërsa në të 20-ën gardiani ishte vendimtar, duke shpëtuar një gol të sigurt. Portieri reagoi mirë edhe pas tentativës së Ylli Hoxhës nga distanca , ndërsa për minuta me radhë në hije dhe me manovra të parashikueshme, Kukësi e kishte të vështirë të rrezikonte portën kundërshtare Në anën tjetër, Flamurtari vijoi të rrezikonte, por pa arritur të finalizonte me një tjetër rast flagrant në minutën e 31-të, ku edhe pse në pozicion të mirë, Lushtaku nuk përfitoi nga gabimi i portierit Koliçi. Me skuadrën që shfaqi mjaft magnësi përpara portës , i vetmi moment që i dhuroi buzëqeshje tifozëve vlonjatë ishte në fundin e pjesës së parë, pas përplasjes së Lushtakut me gjyqtarin Kridens Meta, i cili u shemb në tokë.

Asgjë nuk ndryshoi edhe në pjesën e dytë të sfidës, me vlonjatët që vijuan dominimin në fushë , por sërish pa arritur të koordinonin si duhet tentativat e tyre. Rastet e shumta të shpërdoruara rezultuan fatale përballë një rivali cilësor si Kukësi, që edhe kur nuk duket në ditën më të mirë, arrin ti ndryshojë ndeshjet falë episodeve. Një goditje një gol për Kukësin. Matija Dvornekovic ndëshkoi shpërqendrimin e vlonjatëve, duke bërë gjithçka mirë dhe nuk i la Halilajt mundësi të reagonte. Një dush i ftohtë për Flamurtarin. Vlonjatët provuan të reagonin me Krasniqin nga distanca , ndërsa në të 59-ën pretenduan 11-metërsh pas duelit në zonë të Joao Da Silva-s me Micin, me gjyqtarin Meta që vazhdoi lojën.

Me Flamurtarin të hedhur dëshpërimisht në sulm, ai që mbajti skuadrën në lojë ishte portieri Haliaj, që në minutën e 64-rt realizoi një mrekulli të vërtetë përballë Eminit. Sfida vazhdoi të dhuronte emocione, me Gledi Micin që mbrojti avantazhin e Kukësit, duke i mohuar golin Danilo Alves. Ritmi i lart bëri që në harkun e pak sekondave të regjistroheshin raste në të dyja portat. Fillimisht Dvornekovic për Kukësin dhe pas tij Ylli Hoxha për Flamurtarin që shpërdoroi një tjetër mundësi të mirë për të shënuar. Kuqezinjtë ishin sërish pranë golit në të 83-ën, por Danilo Alves ishte i pafat në devijimin e tij me kokë, që përfundoi pak centimetër jashtë portës. Fundi i ndeshjes u shoqërua me tension në fushë. Kapiteni i Flamurtarit, Telushi kërkoi të ngrinte me forcë një Kariokan që kërkoi të fitonte disa sekonda, duke bërë që aty për aty të shpërthentë një zënkë masive mes lojtarëve të të dyja ekipeve.

Tensioni me protagonist uruguajianin Lacoste dhe brazilianin Felipe Hereda vazhdoi edhe në përfundim të ndeshjes, ndërsa Flamurtari vazhdon ti humbasë të gjitha ndeshjet me Kukësin prej dy vitesh, duke regjistruar disfatën e 10-të mes kampionatit dhe Kupës. Vlonjatët mbeten në agoni dhe në zonën e rënies nga kategoria, ndërsa Kukësi, që u largua mes duartrokitjeve të tifozëve vlonjatë, konsolidoi vendin e tretë dhe biletën e fundit në kupat e Europës nga kampionati. /supersport.al

 

 

Komentet